Policia në Maqedoni ka konfirmuar se katër persona janë vrarë pasi ajo ka shkëmbyer zjarr me ta në afërsi të fshatit Radushë në kufi me Kosovën.
Sipas policisë viktimat janë dy shtetas maqedonas, një kosovar dhe një i paidentifikuar.
Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski, i tha BBC-së se në një furgon që drejtohej prej tyre, është gjetur edhe një sasi e madhe armatimesh:
"Pas informacioneve të mëhershme operative për transport illegal të armëve, u vendos një pritë dhe rreth orës dy këtë mëngjes, gjatë tentativës për të ndalur një furgon, persona të veshur me uniformë në vend që të ndalojnë, kanë shtënë ndaj policisë," tha zëdhënësi i policisë.
"Menjëherë është reaguar nga policia dhe katër personat që ishin në furgon kanë humbur jetën," thotë zoti Kotevski për BBC-në.
Banorët konfirmojnë të shtënat
Kryetari i bashkësisë lokale të fshatit Radushë, Zyqifli Saiti, thotë për BBC-në se "incidenti ka ndodhur 11 kilometra larg fshatit Radushë, ku ndahet rruga mes fshatrave Rashçë-Radushë".
"Morëm informacione se kishte krisma dhe se ishte bllokuar rruga, por nuk e di me saktësi se çfarë ka ndodhur atje," tha zoti Saiti.
"Në Radushë është qetë, rruga lëviz, sapo kalova në vendin e ngjarjes," tregon zoti Saiti.
"Po shikoj edhe banorë të fshatit Rashçe, që po udhëtojnë me kerr," tha ai.
Sfida sigurie
Incidenti në fshatin Radushë vjen pas një aksioni policor para rreth dy javësh kur forcat e policisë u ndeshën me një grup tjetër të armatosur në fshatin Bllacë, gjithashtu në kufi me Kosovën, dhe ku gjithashtu u shkëmbye zjarr.
Pas aksionit të policisë, ajo bëri të ditur se kishte gjetur një sasi të konsiderueshme armatimesh.
Përfaqësues ndërkombëtarë ngritën menjëherë alarmin, duke thënë se dhuna nuk është e pranueshme.
Politika “përgjegjëse”
Por pse situata e sigurisë vihet në pikëpyetje në Maqedoni?
Disa vëzhgues thonë se kjo vjen për shkak të injorimit të vazhdueshëm të Kryeministrit Nikolla Gruevski ndaj marrdhënieve ndër-etnike.
Një sondazh i bërë para disa javësh sugjeronte se gati 90 për qind e shqiptarëve në Maqedoni nuk mbështesin politikat e tij.
"Pas këtyre konstatimeve asnjë gjë nuk u ndërmor," thotë Sefer Tahiri, gazetar, profesor universitar i cili vjen nga rajoni i Radushës.
"Fatkeqësisht, kohëve të fundit ka një raport të paqartë midis qeverisë dhe asaj çfarë ndodh në terren," thotë ai.
"Realisht qeveria nuk e merr seriozisht situatën, ndërkohë që ka një përkeqësim të marrëdhënieve ndër-etnike edhe të situatës të sigurisë."
Zoti Tahiri thotë se megjithë sinjalet qeveria në Maqedoni nuk po i merr parasysh, e cila "vazhdon me politikat e saj duke promovuar projekte një etnike dhe mono fetare".
"Të gjitha këto politika sikur janë një stimul pozitiv për grupe të ndryshme të cilat dëshirojnë të shfrytëzojnë momentin politik për të promovuar projektet e tyre," thotë zoti Tahiri.
Por pavarësisht kritikave që i bëhen, Kryeministri Nikolla Gruevski nuk i pranon ato dhe në disa raste ka përsëritur se është i përkushtuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Vërejtje për moskujdes në marrdhëniet ndër-etnike dhanë edhe disa mijëra protestues të hënën, të cilët të organizuar nga rreth 40 organizata joqeveritare shqiptare thanë se ende ndihen të diskriminuar për shkak të politikave qeveritare. //www.bbc.co.uk//






