MILANO- Një inciden aspak i këndshëm i ka ndodhur kryeministrit italian Sivio Berluskoni gjatë një takimi elektoral. Ai është goditur në fytyrë me mjete të forta, nga Massimo Tartaglia, një person që sipas medias italiane vuante prej vitesh nga problemet mendore.
Ende nuk bëhen të ditura arësyet e ngjarjes që ndodhi ditën e sotme në Piazza D´uomo në Milano, ndërsa Berluskoni ishte duke dhënë autografe.
Mediat italiane njoftojnë se Berluskoni është gjakosur në gojë nga goditja me mjete të forta. Po sipas mediave italiane, kreu i qeverisë, është dërguar në spitalin San Raffaele për të marrë ndihmën e parë. Policia italiane ka mundur të ndalojë agresorin dhe janë duke hetuar mbi arësyet që e shtynë atë të godiste kryeministrin.
Pas bërjes publike të ngjarjes kanë filluar edhe reagimet e para nga politika italiane. Lideri i Partisë Lega Nord, Umberto Bossi e ka cilësuar këtë ngjarje si akt terrorist.
Objekti me të cilin u godit sot kryeministri italian Silvio Berluskoni, është një statujë e vogël e Katedrales 'Duomo' të Milanos, një nga ato statujëzat që blihen për pak euro në dyqanet e vogla në sheshin 'Duomo'.
Objekti, që u sekuestrua nga policia menjëherë pas sulmit, ishte me ngjyrë të hapur dhe dukej i thyer në pjesën mbështetëse, ku zakonisht është një bazament metalik mbi të cilin shkruhet "Duomo di Milano".
Menjëherë pasi ra në tokë, objektin e mori një agjent i policisë, në mes të konfuzionit që ishte krijuar, pasi Massimo Tartaglia, personi që akuzohet për sulmin, u bllokua nga policia.
(m.a/BalkanWeb)






