Të gjithë fëmijët e emigrantëve që lindin në Itali, apo që janë vendosur në vend në moshën 1 apo 2 vjeçare, duhet të marrin nënshtetësinë në moshën 11 vjeç. Propozimi është i kreut të Dhomës së Deputetëve në Itali, Xhanfranko Fini, sipas të cilit ky privilegj duhet t’u jepet atyre, vetëm nëse kanë jetuar pa ndërprerje në shtetin fqinj dhe njëkohësisht kanë frekuentuar sistemin arsimor.
Fini shpjegoi gjithashtu se për këto raste, nuk duhet të kërkohet as dëshmia e gjuhës italiane dhe as njohja e kulturës. Në rast se i referohemi të dhënave të fundit, gjatë vitit 2009 është shënuar një rritje me 13.4 % e numrit të emigrantëve në vend, ndërkohë që aktualisht numri i emigrantëve në këtë vend është rreth 3.9 milionë. Shqiptarët përbëjnë 9.8 % të këtij komuniteti, apo thënë në shifra mbi 380 mijë shqiptarë. Por krahas kësaj, veç rritjes së këtyre shifrave, po aq e lartë është dhe kthimi i tyre drejt vendeve të origjinës. Vetëm vitin e kaluar ato u rritën në masën 33%.






