Koordinatori gjerman për aeronautikën dhe fluturimet kozmike Peter Hintze (CDU) i propozoi dje (12.08.) kabinetit qeveritar projektin për një mision eksplorues gjerman në Hënë. Projekti për të cilin qeveria do të votojë pas zgjedhjeve parlamentare pritet të kushtojë mbi 1,5 miliardë euro dhe do të zgjasë pesë vjet. Hintze u shpreh se megjithë krizën ekonomike ky do të ishte 'një investim i mirë i qeverisë gjermane'. Kjo është temë qendrore në të përditshmet e sotme gjermane.
Fillimisht lidhur me këtë në 'Kieler Nachrichten' lexojmë:
"Njerëzit nuk janë zhvilluar për shkak se kanë qëndruar në shpella, por për shkak se kanë patur guximin të largohen prej tyre. Dhe ata kanë vazhduar të zhvillohen më tej sepse veprimet e tyre nuk i përkufizuan vetëm në Tokë por u nisën edhe drejt kozmosit. Kjo nuk është mani madhështie. Kjo është kureshtje e shëndoshë. Eksplorimet jetojnë nga kurreshtja e jo nga siguria. Kërkuesi nuk e di në fillim të projektit të tij, se cilat do të jenë rezultatet përfundimtare. Po të ishte ndryshe atëherë nuk do të kishim nevojë për eksplorime. Deri tani ia kanë vlejtur shpenzimet për misionet e mëparshme kozmike. Andaj misioni për në Hënë nuk është ide e marrë, por një investim i qëlluar", shkruan 'Kieler Nachrichten'.






