Në kuadër të projektit italo-shqiptar 'Liburna', Gjiri detar i Vlorës ka qenë për tre javë radhazi stacioni i kërkimeve nënujore arkeologjike. Gjatë një konference për shtyp të organizuar në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, bashkëdrejtori i këtij projekti, Adrian Anastasi tha se rezultatet e këtyre kërkimeve nuk ndalen vetëm në rrafshin akademik, por mundësojnë nismën për krijimin e siteve nënujore, ku qytetarët mund të njihen më nga afër me pasuritë detare.
Një ndër problemet shqetësuese mbetet dhe grabitja e këtyre objekteve, e cila dëmton pasurinë arkeologjike. Kreu i Departamentit të Arkeologjisë tha se ka nisur bashkëpunimi me policinë kufitare bregdetare për bllokimin e grabitjes së objekteve të rëndësishme arkeologjike nënujore.
Porto Palermo ishte Gjiri detar që u bë objekt i fushatës së parë arkologjike nënujore ndërsa materialet arkeologjike të zbuluara janë depozituar tashmë në Muzeun e Durrësit dhe përfshijnë një periudhë kohore gati 2 mijë-vjeçare.






