Miliona njerëz në mbarë botën udhëtuan drejt vendeve aziatike për të parë eklipsin diellor më të gjatë të shekullit, plot 6 minuta e 39 sekonda.
Eklipsi i plotë më i gjatë i shekullit XXI mund të shikohej përgjatë një korridori rreth 250 kilometër të gjerë, sipas agjencisë hapësinore amerikane NASA, ndërsa përfshiu pothuajse gjysmën e globit dhe kaloi përmes dy vendeve më të populluara të botës, India dhe Kina.
Mijëra persona kaluan nëpër shtigjet dhe rrugicat e ngushta të qytetit antik të shenjtë Hindu, Varanasi, dhe u mblodhën për t'u zhytur në lumin Gang, një veprim që konsiderohet si rruga e shpëtimit nga cikli i jetës dhe vdekjes. Një grua 65-vjeçare gjeti vdekjen si pasojë e mungesës së ajrit. Përmes këngëve dhe himneve hindu, burra, gra dhe fëmijë hynin në lumë me duar të mbledhura dhe i luteshin Diellit që zhdukej në qiellin e errësuar.
Më pas, eklipsi kaloi përmes Bangladeshit, Nepalit, Butanit, Birmanisë, përpara se t'i drejtohej Paqësorit.
Eklipsi shihet si një miks mesazhesh në Indi. Për disa astrologë ai ndjell fat të keq. Për shkencën ata janë mundësi për të zbuluar përbërjen e gazrave që rrethojnë diellin.






